09.06.2025 - AKTIVITET TRAJNUES: “Gjykimi në dhomë këshillimi i ankimeve ndaj vendimeve të fazës së hetimit paraprak dhe seancës paraprake”

Shkolla e Magjistraturës, më datë 9 qershor 2025, zhvilloi aktivitetin trajnues me temë: “Gjykimi në dhomë këshillimi i ankimeve ndaj vendimeve të fazës së hetimit paraprak dhe seancës paraprake. Pavlefshmëria e vendimit. Kufijtë e shqyrtimit në apel dhe kthimi për rigjykim i çështjeve që shqyrtohen në dhomë këshillimi. Pavlefshmëria e vendimit gjyqësor si shkak për prishjen e vendimit. Shkaqet e pavlefshmërisë. Mungesa e arsyetimit si shkak për prishjen e vendimit", pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.

Ky aktivitet u drejtua nga: 

Ekspertë: Elona Toro dhe Sokol Pina

Qëllimi i këtij trajnimi është: Përmirësimi i aftësive teorike dhe praktike për trajtimin në dhomë këshillimi të çështjeve gjyqësore; Evidentimi dhe analizimi i problematikës gjyqësore në lidhje me shqyrtimin e çështjes në dhomë këshillimi; pavlefshmërinë e vendimit; kufijtë e shqyrtimit në apel dhe kthimin për rigjykim të çështjeve që shqyrtohen në dhomë këshillimi, për shkak të mungesës së arsyetimit të vendimit, etj.; Synohet që pjesëmarrësit të njihen me problematikat ligjore dhe të praktikës gjyqësore; të diskutohen ato dhe të ofrohen interpretimet dhe zgjidhjet më të mira të pranuara nga jurisprudenca. 

Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve. 

Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si:

  • Veçoritë e gjykimit në dhomë këshillimi. 
  • Problematikat që lidhen me mbajtjen e procesverbalit nga sekretari gjyqësor; relacionin; përcaktimin e çështjeve që mund të shqyrtohen në dhomë këshillimi; garantimin e procesit të rregullt ligjor, nëpërmjet njoftimit të palëve, etj., dhe pasojat përkatëse; marrjen e provave të reja, kërkimin e sqarimeve nga palët.
  • Trajnimi i rasteve të pavlefshmërisë së vendimit të marr në dhomë këshillimi, për shkak të cenimit të procesit të rregullt ligjor, mungesës së arsyetimit, etj.
  • Trajtim teorik dhe analizimi i jurisprudencës për standardin e arsyetimit dhe mjaftueshmërinë e arsyetimit, si shkak për prishjen e vendimit të gjykatës.

Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë dhe prokurorë të Republikës së Shqipërisë.